Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, me anë të një postimi të bërë në rrjetet sociale ka njoftuar se të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë do ti kenë librat shkollorë falas. Gjithashtu Kushi ka njoftuar se përfitues të kësaj skeme mbështetëse janë të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm dhe të lartë.
“Këtë vit shkollor përmbushet angazhimi që në arsimin bazë të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 të kenë librat shkollorë falas.
Ndërkohë, përfitues të kësaj skeme mbështetëse nga #qeveriashqiptare janë edhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë.”, shkruan ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Sjellim në vëmendje se shkollat do të hapin dyert më 1 shtator, për të gjithë ata nxënës që kanë nevojë për të ndjekur konsultime dy javore për përsëritje, përforcim dhe përmirësim të njohurive të tyre nga viti i kaluar shkollor i cili u zhvillua në kushte jo normale nga pandemia e COVID-19. Ministrja Kushi disa ditë më parë u shpreh se nxënësit janë të lirë t’i ndjekin konsultimet sipas nevojës dhe se janë caktuar udhëzues të posaçëm.
Gjithashtu ministrja iu ka bërë thirrje të gjithë mësuesve, pedagogëve dhe studentëve që të marrin sa më shpejt vaksinën anti-COVID, në këtë muaj të hapur të vaksinimit në mënyrë që kemi një vit shkollor dhe akademik të suksesshëm dhe të mbarë, sipas saj.