Greqia po përballet për 8 ditë rresht me një situatë të pakontrollueshme nga zjarret që kanë pushtuar vendin. Mijëra forca zjarrfikëse ndodhen në terren për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa flakët i favorizon era dhe tëemperaturat e larta që kanë pushtuar vendin. Situata më kritike shfaqet në ishullin e dytë më të madh në vend, Evia dhe disa zona të tjera të cilat ndodhen në zonën veriore të Athinës. Fatkeqësisht nga flakët kanë humbur jetën 3 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur. Nga ana tjetër vendi i ngjanë një shkretëtire të pashpresë, mijëra hektarë sipërfaqe pyjore dhe tokë bujqësore, banesa e biznese, janë shkatërruar plotësisht.
Kjo situatë ka nxitur edhe protesta në vend, qindra persona kanë protestuar para parlamentit duke akuzuar qeverinë për mungesën e përgjigjes së duhur ndaj zjarreve. Ata fajësojnë kryeministrin për mungesë përgjegjshmërisë dhe korrupsion.
Kreu i ekzekutivit, Kyriakos Mitsotakis ka pranuar se situata është e vështirë dhe ka dalë jashtë kontrollit. Gjithashtu ai kërkoi falje për katastrofën natyrore në Evia dhe Atikë.
“Së pari kërkoj falje për çdo dobësi që ekzistonte në reagimin ndaj situatës. Megjithatë, reagimet tona nuk duhet të jenë të verbra. Çdo dështim do të identifikohet. Dhe përgjegjësitë do të caktohen kurdo dhe kudo që është e nevojshme. Çështja e parë, tani për tani, janë zgjidhjet. Ashtu siç çështja e parë ishte dhe mbetet mbrojtja e jetës njerëzore. Ne i detyrohemi vetes që të shtrëngojmë dhëmbët dhe të ecim përpara. Herë të tjera vendi përjetoi katastrofa, por mbeti në këmbë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, duke e kthyer trishtimin tonë në force”, tha Micotakis.
Kryeministri Mitsotakis miratoi një buxhet shtesë prej 500 milionë eurosh për ripyllëzimin e zonave më të goditura ndërsa premtoi se nuk do të mbetet askush pa ndihmë për rimëkëmbje.
Brenda 24 orëve, u organizuan më shumë se 60 evakuime të banorëve në 141 zona. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende europiane dhe të Lindjes së Mesme dërguan të tjerë zjarrfikës, avionë e helikopterë në ndihmë të Greqisë.