28 hetues të BKH-së nisin ditën e sotme zyrtarisht punën. Mësohet se ceremonia e dorëzimit të detyrës u zhvillua ditën e sotme në Durrës, ku të pranishëm kanë qenë kreu i SPAK, Arben Kraja dhe drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj. Më herët 28 hetuesit e BKH-së zhvilluan në Romë trajnimin intensiv të specializuar DIA italiane (Drejtoria e Antimafias) për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Kujtojmë se fillimisht ata iu nënshtruan procesit të përzgjedhjes, duke filluar nga testi i logjikës së arsyetimit, testit fizik, hartimi i eses, intervistën e strukturuar, si dhe verifikimin e figurës.
Në total BKH-ja duhet të ketë 60 hetues, por në fazën përfundimtare kanë mundur të kualifikohen vetëm 28 . Byroja Kombëtare e Hetimit është një institucion i ri, i dalë nga reforma në drejtësi. Kjo strukturë është pjesë e SPAK në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kujtojmë se kandidatët për BKH kanë kaluar disa faza me sukses për të vazhduar më pas edhe me fazat përfundimtare e cila i shpalli fitues. Po ashtu faza e Intervistës u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.