Ministria e Mbrojtjes ka dhënë të rejat e fundit lidhur me situatën e zjarreve në vendin tonë. Sipas njoftimit zyrtar aktualisht në vendin tonë janë aktive 7 vatra zjarri. Gjithashtu informohet se situata në Dukat dhe Kalimash, po përkeqësohet për shkak edhe të erës së fortë e cila po favorizon përhapjen e flakëve.
Bëhet me dije se në gatishmëri për parandalimi dhe neutralizimin e flakëve janë rreth 200 trupa të Forcave të Armatosura. Gjithashtu në Gjirin e Gramës situata është nën kontroll dhe po punohet për shuarjen përfundimtare të flakëve. Ndërsa zjarri tek Maja e Rrunës, në Kukës është vënë nën kontroll vatra në drejtimin nga vendi i quajtur Laku i Thive, por po monitorohet nga forcat operacionale.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
7 vatra aktive zjarri në vend, era përkeqëson situatën në Dukat e Kalimash
Zjarri tek Maja e Rrunës, në Kukës është vënë nën kontroll vatra në drejtimin nga vendi i quajtur Laku i Thive, por po monitorohet nga forcat operacionale.
Mbetet aktiv zjarri sipër
Tunelit të Kalimashit, ku situata është përkeqësuar për shkak të erës. Po punohet për të mos lënë përhapjen në territorin e njësisë administrative Surroj, ku mund të ketë rrezik për stanet e fshatit.
Puna vijon pandërprerë me vatrat në fshatin Thirrë dhe fshatin Munellë-Domgjon, të bashkisë Mirditë, ku ende ka vatra aktive në një pjesë të zonave.
Në kontroll janë vatrat në fshatin Vermosh, në Malësi të Madhe, vatra në luginën e Valbonës në fshatin Klysyrë si dhe vatra në fshatin Gjorgos në Cakran të Fierit.
Zjarri i rënë në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodonit në Durrës nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, por po mbahet nën monitorim.
3 vatra të tjera si ajo në fshatin Deshiran në bashkinë Belsh, zjarri në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por edhe zjarri i rënë në zonat e mbrojtura, Parku Kombëtar, Bredhi i Hotovës-Dangëlli tashmë janë shuar.