Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në autostradën Vlorë- Levan. Mësohet se një grua ka humbur jetën, pasi është përplasur për vdekje nga një mjet tip “Golf”, teksa ishte duke kaluar rrugën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të Novoselës, ndërsa nga aksidenti është bllokuar qarkullimi dhe janë krijuar radhë të gjata makinash, ndërsa në vendin e ngjarjes ndodhet edhe policia.
Siç duket edhe në fotot nga shqiptarja.com, pamjet janë të rënda ndërsa gruaja është e shtrirë në tokë pa shenja jete.
Nuk janë bërë ende të ditura detaje për moshën dhe identitetin e viktimës.
Kujtojmë se aksi Vlorë- Levan është një nga akset më problemtaike në vend, ku aksidentet janë të shumta dhe jo pak herë me pasoja fatale.
Rreth një muaj më parë një aksident tjetër fatal ndodhi në këtë aks, ku humbën jetën 4 anëtarë të familjes Gushi, mes tyre edhe dy vajzat e mitura, 14 dhe 9 vjeç. Makina e tyre u godit nga pas nga 22-vjeçari Igli Madani me makinën e tij “Audi”, teksa ky i fundit ishte tej normave të lejuara të shpejtësisë. Madani u arrestua nga policia, ndërsa familjarët e viktimave kanë kërkuar vazhdimisht drejtësi për të afërmit e tyre që humbën jetën tragjikisht.