Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një komunikim online nga baza e Pashalimanit ka folur lidhur me situatën e zjarreve në vendin tonë. Peleshi u shpreh se në Gadishullin e Karaburunit situata vazhdon të jetë problematike, kjo sepse kërcënon që të përfshijë Parkun Kombëtar të Llogarasë. Ministri i Mbrojtjes ndër të tjera ka thënë se deri më tani në vendin tonë janë shuar 163 vatra nga forcat e ushtrisë, zjarrfikësit dhe emergjencave civile..
Ai ka thënë se një vatër jashtëzakonisht e rrezikshme është në Mashkullorë të Gjirokastrës , ku dh ekanë çuar një kontigjent me 50 efektivë, por era e fortë po i çonë flakët drejt fshatit.
“Në Mashkullorë të Gjirokastrës kemi çuar një kontingjent me 50 efektivë, sepse kemi një vatër jashtëzakonisht të rrezikshme. Era po i çon flakët drejt fshatit. Bëj thirrje për evakuim. Policia e Shtetit të mos mendohet dy herë për t’i evakuuar banorët”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Peleshi ka thënë se vatra më e rrezikshme në zonë e veriut është ajo e Kukësit, ku po punohet për të vën nën kopntroll flakët. Ai ka theksuar se nuk ka rrezik që flakët të përparojnë në zona të banuara.
“Vatra më serioze është ajo e Kukësit, ku kemi punuar dhe po punojmë kombinuar nga toka dhe nga ajri. Nuk rrezikon banesa. Është në kontroll, por nga ç’ka në zonën e veriut është më seriozja. Në luginën e Valbonës kemi një vatër zjarri që është nën kontroll. Edhe në vatrat e tjera i kemi nën kontroll dhe nuk rrezikojnë banesa”, u shpreh Peleshi.
Peleshi ndër të tjera i ka bërë apel Policisë së Shtetit, që të qëndrojë në gatishmëri dhe në çdo rast rreziku të bëjë të mundur evakuimin e banorëve.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
ZJARRET NË VEND, U SHUAN 163, MBETEN ENDE 10 VATRA AKTIVE
Si pasojë e temperaturave të larta, gjatë 10 ditëve të fundit vendi ynë është përballur me situata problematike zjarri, të cilat kanë rrezikur jetë njerëzish, banesa, gjënë e gjallë, trashëgimi kulturore, zona pyjore dhe parqe arkeologjike.
Në të gjithë territorin deri tani janë shuar 163 zjarre, për të cilat janë angazhuar 1289 Forca të Armatosura me 146 mjete të FA, 143 mjete zjarrfikëse, 1052 forca zjarrfikëse dhe 441 forca të tjera nga emergjencat civile.
➡️ SITUATA E ZJARREVE GJATE DITËS SË SOTME;
Vlorë, Gadishulli i Karaburunit – Situata e zjarrit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Vatra po mbahet nën kontroll.
Kukës – Në majën e Runës gjithashtu flakët po mbahen nën kontroll nga ajri dhe toka. Flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.
Mirditë – Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë. Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik.
Vermosh – Në Malësinë e Madhe zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri.
Tropojë – Është bërë i mundur izolimi i flakëve në Betosh dhe Shëngjergj.
Shkodër – Një tjetër vatër në Theth është izoluar dhe po monitorohet. Nuk paraqet rrezik.
Zjarri në fshatin Cukal është drejt shuarjes përfundimtare.
Lugina e Valbonës – Zjarri në Margegaj është në zonë shkëmbore dhe nuk paraqet rrezikshmëri.