Prej ditësh disa zona në vendin tonë janë në “luftë me flakët”, situata paraqitet më problematike në Karaburn dhe Kurbin. Ditën e sotme kreu i Emergjencave Civile, Haki Cako, ka zbritur në terren, për të parë nga afër situatën e krijuar nga zjarret në Vlorë. Nga Dukati ai iu ka lënë porosi forcave të ushtrisë dhe emergjencave civile që janë të angazhuara në terren për shuarjen e flakëve që të krijojnë një kordon, me qëllim që flakët të mos përhapen.
“Për të prevaluar çdo lloj faze, pjesa tjetër e ushtarëve duhet bërë kordon larg zjarrit. Do punuar pjesa tjetër. Me kazëm me lopatë me motorrsharë me gjithçka. Duhet krijuar kordoni. Pjesa tjetër duhet të punojë me të njëjtin parim. Duhet të punojë me parimin e tokës së djegur. Nuk ka formë tjetër. Duhet gjetur një drejtim.”, ka thënë Haki Cako nga Dukati.
Kujtojmë se situata në disa vende mbetet kritike dhe flakët kanë përpirë disa hektar me pyje e kullota, duke kërcënuar në disa raste edhe zonat e banuara. Po ashtu në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme një vatër e madhe zjarri është raportuar në Livadh të Himarës. Vatra e zjarrit favorizohet të përhapet edhe më shumë për shkak të erës së fortë. Kujtojmë se vendi ynë po përballet me vatra zjarri në disa qarqe, ku problematike paraqitet situata në Karaburun.