Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga ngjarja në Maternitetin e Pogradecit, ku tashmë është marrë nën hetim një mjeke. Ajo dyshohet se ka neglizhuar mjekimin e një foshnje, që ndërroi jetë më vonë në Tiranë.
Detajet e zbuluara janë rrëqethëse, ndërsa bëhet me dije se foshnja ka lindur 24-javëshe, ndërkohë në kartelë është shënuar si abort. Në momentin e lindjes foshnja nuk ka qarë, ndaj edhe mjekët në Maternitetin e Pogradecit e kanë konsideruar të vdekur dhe e kanë vendosur në një kuti.
Familjarët e të porsalindurit kanë qenë ata që kanë insistuar të shohin foshnjën dhe kur kanë hyrë në dhomën që ai mbahej e kanë dëgjuar atë të qajë. Foshnja u dërgua në Tiranë për mjekim të specializuar, por fatkeqësisht nuk ka mundur që të mbijetojë.
Në polici, i ati i foshnjës ka deklaruar se fëmija është gjetur në një kuti, duke e pohuar të gjithë ngjarjen.
Ndërkohë, policia ka sekuestruar kartelën mjekësore dhe ka marrë edhe deklarimin e mjekes G.Shyta e cila fillimisht ka thënë që ka qenë një abort, por më pas një “mrekulli” ka ndodhur. Ajo tashmë është marrë nën hetim dhe dosja është dërguar në Prokurorinë e Pogradecit për veprime të mëtejshme hetimore.