Situata me zjarret në vendin tonë vazhdon të jetë kritike në disa zona, ku zjarri po përhapet me shpejtësi favorizuar edhe nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë në ditët e fundit.
Zjarri ka marrë përmasa të mëdha në fshatin Kutal të Përmetit. Mjetet zjarrfikëse dhe forcat e ushtrisë janë nisur menjëherë drejt zonës, ku prej disa orësh flakët kanë përpirë pemë e kullota. Punonjësit e bashkisë po përpiqen që të mbajnë nën kontroll zjarrin në fshatin Kutal, pasi banesat ndodhen shumë pranë zonës dhe kërcënohen nga flakët.
Situata mbetet problematike edhe në Karaburun ku vatrat e zjarrit vijojnë të përhapen me shpejtësi. Mësohet se aktualisht, perimetri i zjarrit është i shtrirë në vijë lineare rreth 15 km. Gjithashtu bëhet fjalë për rreth 500 ha me pyje të shkrumbuara, nga flakët të cilat i favorizojnë edhe temperaturat e larta. Ndërsa, aktive vijojnë të jenë disa vatra zjarri. Forcat zjarrfikëse janë angazhuar së bashku me ADZM në një aksion që prej orëve të para të mëngjesit por pa arritur të lokalizojnë zjarrin që rrezikon Llogaranë.
Kujtojmë se me anë të një postimi në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, tha se aktualisht në vendin tonë janë aktive 8 vatra zjarri dhe se më problematike është situata në Karaburun, Shijak, Përmet dhe Fier.