Zjarri në kodrat e Ksamilit është vënë nën kontroll pas shumë orësh në luftë me flakët. Përkrah pushtetit vendor janë angazhuar efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes, për shuarjen e zjarreve në zona të ndryshme të vendit. Zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici ka inspektuar nga afër punën në terren ku dhe ka falenderuar forcat zjarrfikëse dhe efektivët.
Bici ndër të tjera ka thënë se të gjithë ata persona që i vendosin zjarrin natyrës do të vendosen përpara përgjegjësisë dhe do të përballen me ligjin. Ajo ka treguar se si është situata me zjarret në vendin tonë dhe ka thënë se situata në Karaburun, paraqitet më e vështirë në krahasim me zonat e tjera.
“Një falenderim shkon, jo vetëm për forcat operacionale, efektivët e Ksamilit, por për të gjithë efektivët e Shqipërisë, të cilët janë duke shuajtur vatra të tjera zjarri. Edhe një herë treguat që me punën dhe përkushtimin tuaj të arrijmë që të mos kemi pasoja.
Unë do të kisha një thirrje për të gjithë banorët e Ksamilit, pushuesit, të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre dhe siguroj që kushdo që me veprimet e tij rrezikon të shkatërrojë natyrën e bukur që na ka falur Zoti do të vihet para përgjegjësisë penale. Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të gjitha strukturat e tjera përgjegjëse do të jenë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente, që mund të na paraqitet, duke patur parasysh se jemi në stinën e verës dhe temperaturat e larta janë në disfavorin tonë”, theksoi zv.ministrja e Mbrojtjes.
Agjencia e Mbrojtjes Civile ben me dije se puna për normalizimin e situatës po vijon edhe në Karaburun, ku paraqitet rasti më i vështirë. Grupit të punës për shuarjen e flakëve u janë bashkuar edhe 85 forca të tjera, ndër të cilët 40 janë efektivë të FA. Po ashtu puna po vijon edhe në qarkun Fier, ku po punohet me mjete te tonazhit të rëndë. Vatra aktive mbeten në fshatin Mazhicë, bashkia Bulqizë, ku zjarri ka djegur sipërfaqe me shkurre dhe ferra, por edhe në fshatin Delvinë, bashkia Përmet. Puna po vijon për normalizimin e situatës edhe në fshatin Shikaj, bashkia Kukës, në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, ku janë përfshirë nga flakët një sipërfaqe me shkurre, ullishte dhe pyll pishe” – tha zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici.