Disa persona kanë rënë në prangat e policisë në Lezhë, të dyshuar për vepra të ndryshme penale. P. K., 64 vjeç dhe bashkëshortja e tij, shtetasja D. K., 62 vjeçe, banues në Zejmen, Lezhë kanë rënë në pranga, pasi janë konstatuar në tentative për të kultivuar bimë narkotike. Po ashtu është arestuar N. T., 44 vjeç, pasi në banesë, në fshatin Tresh, Lezhë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Njoftimi i policisë:
Lezhë
Vijojnë kontrollet e pandërprera për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihen në pranga bashkëshortët.
Gjithashtu, vihet në pranga një shtetas tjetër, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Shërbimet e Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Krajën, Lezhë, në një ambient të hapur janë konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi P. K., 64 vjeç dhe bashkëshortja e tij, shtetasja D. K., 62 vjeçe, banues në Zejmen, Lezhë, të cilët janë vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. T., 44 vjeç, pasi në banesë, në fshatin Tresh, Lezhë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Dhuna në familje”.