Detaje të reja janë bërë me dije nga aksidenti tragjik që ndodhi në aksin Shkodër-Velipojë, pak para orës tre pas mesnate dhe ku humbën jetën drejtuesi dhe pasagjerja në mjet.
Dy të rinjtë Amarildo Preka, 23 vjeç, banues në fshatin Mali Jushit, Shkodër dhe Driona Pirani, 16 vjeçe, banuese në lagjen Perash, Shkodër ishin duke u kthyer nga një festë në Velipojë në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur humbën jetën tragjikisht. Aksidenti i rëndë ndodhi si pasojë e shpejtësisë së lartë në një kthesë, në vendin e quajtur “Mbi Sukë”. Drejtuesi i mjetit, Preka humbi kontrollin e makinës dhe si pasojë u përplas me një mur. Përplasja rezultoi fatale, duke bërë që dy të rinjtë të humbasin jetën.
Ndërkohë, Balkan Web ka publikuar edhe foto të makinës “BMW” me të cilën dy të rinjtë u aksidentuan. Siç duket edhe nga pamjet, mjeti ka përfunduar totalisht i shkatërruar. Pjesa e përparme e makinës është dëmtuar edhe më shumë nga pjesët e tjera nga përplasja e murin, duke bërë që Preka dhe Priani të humbasin jetën në vend. Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë është duke vijuar punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik ku humbën jetën dy të rinjtë.