Shefi i Zjarrfikësve të Vlorës, Kastriot Bega, ka folur në lidhje me situatën alarmante me zjarret, ku është shprehur se flakët kanë vënë në vështirësi të gjithë togën që ai drejton. Në një lidhje telefonike për Report Tv, Bega u shpreh:
“Aktualisht në Karaburun janë forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit. Në Tragjas zjarri është në mal dhe është e pamundur të ndërhyhet, ne po presim të zbresë poshtë. Sot kemi ndërhyrë në Zvërnec dhe e kemi kapur në kohë. Jam marrë tërë natën te shpella e Kaninës, është një pyll me pisha atje.
Rrezikoi i gjithë pylli me pisha në Kaninë. Njerëz të papërgjegjshëm djegin mbeturina dhe ka flakë. Ne nuk kemi automjete për t’u futur në terrene të vështira”, u shpreh mes të tjerash kreu i zjarrëfikësve të Vlorës, Kastriot Bega.
Prej disa ditësh, vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive në gadishullin e Karaburunit, duke djegur hapësirën e blertë. Flakët kanë djegur qindra hektarë me pemë e shkurre, teksa ndërhyrja e zjarrfikësve është e vështirë.
Zjarri në Karaburun për shkak të erës po përhapet më shpejtësi, duke bërë që të rrezikohet edhe baza e Pashalimanit, ndërsa në zonë për shuarjen e flakëve janë vënë në gatishmëri edhe 40 ushtarë nga Forcat e Armatosura.