Vazhdojnë ngjarjet tronditëse në vendin tonë. Ngjarja e rëndë e radhës ka ndodhur në fshatin Gërnac të Kurbinit, ku është gjetur i vrarë me armë zjarri një 13-vjeçar. I mituri, i identifikuar deri më tani si R. Keqi, është gjetur pa shenja jete shumë pranë banesës së tij në mesnatë, nga efektivët e Policisë së Kurbinit.
Deri më tani, dyshohet se vrasja e tij ka qenë aksidentale, pasi viktima ka qenë bashkë me tre fëmijë të tjerë duke kullotur bagëtitë në mal dhe atje kanë gjetur një automatik të mbushur.
Pasi kanë rikthyer bagëtitë e tyre në stan, i mituri dhe dy shokët e tjerë kanë nisur që të luajnë me armën e mbushur, duke gjuajtur padashje. Plumbi ka kapur 13-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend.
Policia e Kurbinit ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur menjëherë hetimet, ndërsa më shumë detaje mbi këtë ngjarje të rëndë pritet të mësohen në minutat në vijim.
Paraprakisht, mësohet se në pyetje janë marrë dy të miturit e tjerë nga Policia e Kurbinit, ndërsa arma po kontrollohet në laborator, për të parë nëse është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme. Këto janë të dhënat deri më tani dhe duket se ngjarjet tronditëse në vendin tonë nuk kanë të ndalur…