Një 71-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Devoll pasi kanosi me thikë djalin e tij 41 vjeç në banesën e tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Sul, dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Xh.P., për veprën penale dhunë në familje.
Mirëpo një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur për herë të parë. Vetëm tre ditë më parë 71-vjeçari kanosi sërish me sëpatë të birin dhe u arrestua nga policia. Gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, ndërsa ngjarja është ripërsëritur sërish ditën e sotme. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i plotë i policisë:
Devoll
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” të shtetasit Xh. P., 71 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll, pasi dyshohet se në banesë ka kanosur me thikë djalin e tij, shtetasin R. P., 41 vjeç.
Sqarojmë se ky shtetas është arrestuar 3 ditë më parë, për të njëjtën vepër penale dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë caktoi për të masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.