Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për ngjarjen e ndodhur sot në Gjirokastër, ku një 72-vjeçar i vuri flakën me benzinë bashkëshortes së tij. Lideri i opozitës shkruan në rrjetin social “Twitter” se dhuna ndaj grave, është një plagë e madhe sociale, që kërkon një kurë sa më të shpejtë. Gjithashtu, Basha shkroi se Partia Demokratike, do të ndërmarrë hapa ligjorë konkretë, për të frenuar sa më parë këtë fenomen negativ social.
LEXO EDHE: Ngjarje e rëndë në Gjirokastër, 72-vjeçari i vendos flakën me benzinë gruas së tij (Emri)
“Krim i tmerrshëm ai i ndodhur sot në Gjirokastër. Dhuna ndaj grave është një plagë e madhe sociale që kërkon një kurë të shpejtë, të thellë dhe gjithëpërfshirëse. Është e papranueshme që dhuna të jetë pjesë e përditshmërisë, sidomos për gratë dhe vajzat që jetojnë në kushtet e varfërisë dhe varësisë ekonomike.
Partia Demokraike do të ndërmarrë hapa ligjorë konkretë për të forcuar mbrojtjen e nënave e vajzave dhe për të frenuar këtë fenomen që shkatërron familjet”, shkroi lideri i opozitës, Lulzim Basha.
Policia e Shtetit njoftoi se 72-vjeçari Panajot Janaqi, banues në fshatin Këllëz, ka djegur me lëndë djegëse benzinë bashkëshorten e tij. Si pasojë e plagëve të rënda që ka pësuar nga djegia, e moshuara është transportuar në spitalin rajonal Gjirokastër. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën sipas policisë.