Kryeministri Edi Rama ka mbërritur tashmë në Maqedoninë e Veriut për Forumin Ekonomik. Ai është pritur nga homologu i tij, Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Të tre ata kanë ecur në rrugët e Shkupit për të shkuar drejt qendrës së qytetit, teksa ka pasur qytetarë që i kanë ndaluar për të bërë foto. Nuk kanë mn=unguar gjithashtu edhe përshëndetjet nga lokalet.
Ditën e nesërme në Shkup pritet të mbahet Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal me sesionin “Ballkani i Bashkuar”. Me sa duket ky pritet të jetë edhe emri i ri për atë që deri tashmë është quajtur mini-shengeni ballkanik.
Ndërkohë, mësohet se gjatë ditës së nesërme pritet që liderët të nënshkruajnë dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe thjeshtimin e formaliteteve lidhur me importin, eksportin dhe lëvizjen mallrave, bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente. Sipas Top Channel, forumi që do të mbahet nesër do të ndahet në tre pjesë.
Kujtojmë që Kosova e ka kundërshtuar vazhdimisht projektin e mini-shengenit duke thënë se i shërben Serbisë. Së fundi, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ndërhyjë për ta ndaluar projektin.