Gjigantët e teknologjisë si “Apple”, “Microsoft” apo “Samsung”, raportuan fitime në rritje, pasi konsumatorët i azhurnuan pajisjet e tyre gjatë izolimit që shkaktoi pandemia e koronavirusit.
Kompania “Apple” tha se fitimet e tyre u dyfishuan në 21.7 miliardë dollarë, në tremujorin e dytë të vitit. Kompania theksoi se klientët blenë pajisje iPhone 5G, të cilat kanë çmim më të lartë.
Ndërsa kompania “Microsoft”, raportoi se fitoi 16.5 miliardë dollarë, që do të thotë 47% më shumë se vitin e kaluar. Kompania “Alphabet”, gjithashtu raportoi se shitjet dhe fitimet e saj gjatë tre muajve të fundit, kanë arritur rekorde.
Disa analistë të ekonomisë, paralajmërojnë se shifrat mund të çojnë në thirrje për frenimin e ndërmarrjeve të teknologjisë. Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv, në përpjekje për të promovuar sa më shumë konkurrencë.
Sipas urdhrit të firmosur nga presidenti amerikan Biden, problemet kanë lindur për shkak se firmat e mëdha të teknologjisë, mbledhin shumë informacione personale, blejnë konkurrentë të mundshëm dhe konkurrojnë padrejtësisht me bizneset e vogla. Urdhri përfshin disa rekomandime, të tilla si ndalimi i metodave të padrejta të konkurrencës në tregun e internetit. Mbetet për t’u parë se sa do të përmirësohet kjo gjë.
Deri sa urdhri i firmosur nga Biden të japë rezultate, gjëja e vetme e sigurt për momentin është pasurimi i jashtëzakonshëm i kompanive teknologjike.