Kjo javë pritet të jetë një ndër javët më të nxehta. Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak ka paralajmëruar qytetarët se kjo javë do të jetë më e vështira sa i përket temperaturave të larta por jo vetëm.
Mbi rajonin e Ballkanit (rrjedhimisht edhe mbi vendin tonë) gradualisht po depërtojnë masa ajrore të nxehta me origjinë nga shkretëtira e Saharasë.
Si rrjedhojë, të hënën temperaturat arritën deri në 39 grad celcius (në Gjirokastër) dhe 37 gradë për kryeqytetin.
Gjithashtu sinoptikania thekson se për shkak të origjinës nga shkretëtira e Saharasë parashikohet që masat ajrore do të kenë një sasi të lartë të grimcave të pluhurit dhe rërës. Po ashtu cilësia e ajrit do të jetë e dobët për shkak të sasisë së lartë të këtyre grimcave si dhe do të krijojnë efektin serë sa i përket temperaturave. Gjithashtu SHMU me anë të një njoftimi zyrtar iu ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin sa më shumë ekspozimin në diell.
“Për shkak të temperaturave të larta mbi 40 grad Celcius që priten të regjistrohen nga mesjava e deri në fundjavë (kryesisht zonat e ulëta), këshillojmë të gjithë ndjekësit tanë të shmangin sa më shumë ekspozimin në diell pa arsye të fortë”, shkruan SHMU në njoftimin zyrtar.