Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Gonika Gërvalla ka dalë kundër mini-shengenit ballkanik. Teksa ishte në një diskutim jo formal mes ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u mbajt në Brdo Pri Kranju të Sllovenisë, Gërvalla tha se projekti i mini-shengenit është në kundërshtim me rrugëtimin e BE-së. ajo tha se ky process mund të jetë shumë i rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan dhe i bëri thirrje Bashkimit Europian që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta ndaluar.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës:
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Donika Gërvalla, mori pjesë sot në diskutimin jo formal mes ministrave të Jashtëm dhe për Çështje Evropiane të BE-së dhe vendeve të Ballkanit që u mbajt në Brdo Pri Kranju të Sllovenisë, nikoqir i të cilit ishte sekretari slloven i Shtetit për Punët e Jashtme, z.Gašper Dovžan.
Duke qenë se Sllovenia ka marrë mandatin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, ky diskutim u hap me prezantimin e prioriteteve të presidencës së Sllovenisë dhe temë bosht ishte çështja e tejkalimit të situatës me pandeminë Covid-19.
Ministrja Gërvalla, theksoi në fjalën e saj se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket çështjes së menaxhimit të pandemisë. Ajo theksoi ndihmën e jashtëzakonshme në këtë drejtim të BE-së, vendeve anëtare të saj, por edhe të vendeve jashtë BE-së si Norvegjia dhe SHBA-të.
Teksa ka folur për bashkëpunimin rajonal, Gërvalla është ndalur tek ideja e tregut të përbashkët rajonal si plan dhe strategji për bashkpunimin rajonal dhe zgjidhje të konflikteve. Ajo ka theksuar se ka aktorë në Ballkan që po tentojnë ta minojnë këtë koncept duke u përpjekur t’i kthejnë kohërat e vjetra në këtë rajon, kur përplasjet politike dhe ekonomike ishin të ndërlidhura.
“E quajnë ‘mini-shengen’ dhe na thonë vazhdimisht që ky nuk është në kundërshtim me rrugëtimin drejt BE-së. Por kjo nuk është e vërtetë.
Na thonë që i shërben bashkëpunimit rajonal. As kjo, nuk është e vërtetë”, ka plotësuar Gërvalla.
Ajo i ka bërë thirrje BE-së që të ndërmerr hapat e nevojshëm për ta ndalur këtë proces para se të jetë vonë. “Ky proces mund të jetë shumë i rrezikshëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”, ka shpjeguar ajo më tej.
Tutje diskutimet u zhvilluan duke u fokusuar në temat që lidhen me procesin e zgjerimit, sundimin e ligjit si dhe zgjidhjet për krijimin e një Evrope të qëndrueshme pas pandemisë Covid-19. Me këtë rast u bë thirrje që të bëhet vaksinim në masë në mënyrë që sa më parë të gjitha shtetet t’i kthehen normalitetit.