Kryeministri i vendit Edi Rama ka inspektuar punimet në rrugën Dukaj-Sinaj. Rama ka qenë i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
Kryeministri ka thënë se deri më tani, kjo rrugë përfunduar në masën 75% ndërsa në muajin shtator, sipas tij do të ketë përfunduar e gjithë rruga. Gjithashtu Rama ka shtuar se me përfundimin e këtij investimi, Tepelena sipas tij do të jetë një atraksion i përshkueshëm nga turistët vendas e të huaj.
E shtimi i tyre sipas tij do të shoqërohet dhe me një rritje ekonomike për bizneset e zonës.
“Ata që na ndjekin bien pre e idesë që rrugët janë të ngushta, duhet të jenë më të gjera. Rrugët turistike kanë parametrat e tyre në të gjithë Evropën dhe kudo. Ajo që ka rëndësi të gjithë këto akse janë duke u mbyllur dhe e kthejnë Tepelenën nga një qafë fallco në një pikë turistike për turistët, qoftë dhe nga ata që vijnë nga Gjirokastra, qoftë ata që vijnë nga Tirana apo nga Saranda.
Bëhet e gjitha një paketë turistike. Pa llogaritur dhe ekonominë e turizmit dhe agroturzimit dhe prodhimit blegtoral. Nga një zonë prodhuese e ushqimeve të shijshme, po kthehet në një pikë turistike për turizmin poshtë, që nga Vlora, Himara dhe më gjerë”, tha Rama.