Në prangat e policisë kanë rënë dy persona të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve këta persona rezultojnë se kanë organizuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Greqisë e më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.Të arrestuar janë Irfan Sulaj dhe Dëfrim Çela. Dy personat në fjalë SPAK i akuzon pët “trafikim të narkotikëve, kryer më shumë se një herë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”. Ndërkohë për të njëjtat vepra penale janë akuzuar dhe shtetasit me iniciale F.XH. e R.SH. Hetimet në lidhje me këtë procedim penal janë kryer në kuadër të operacionit “Kujtesa”.
“Hetimet në lidhje me këtë procedim penal janë kryer në kuadër te operacionit ‘Kujtesa’, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe nëpërmjet shkëmbimit të informacioneve të vazhdueshme me autoritetet e Drejtësisë së Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nga hetimet e kryera është bërë e mundur mbledhja e provave, mbi bazën e të cilave janë ngritur dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Irfan Sulaj dhe Dëfrim Çela gjatë vitit 2016 në bashkëpunim me lidhjet e tyre kanë drejtuar trafikimin nëpërmjet koordinimit të transportit dhe trafikimit të lëndëve narkotike kryesisht të llojit heroinë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe më pas në vendet e tjera të BE-së,” thuhet në njoftimin e SPAK.