Departamenti i Shtetit e rriti të hënën në nivelin më të lartë paralajmërimin për udhëtimet në Britani, pas një veprimi të ngjashëm të ndërmarrë nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve më parë gjatë ditës.
Të dy agjencitë thanë se nëse njerëzit duhet të udhëtojnë për në Britani, ata duhet të sigurohen që janë vaksinuar plotësisht para udhëtimit.
Paralajmërimi erdhi ndërsa britanikët festonin “Ditën e Lirisë”, fundi zyrtar i pothuajse të gjitha kufizimeve të mbylljes së koronavirusit, duke përfshirë vënien e detyrueshme të maskës dhe distancimin shoqëror.
Por Kryeministri Boris Johnson ka të ngjarë të ketë ulur entuziazmin e festimeve kur njoftoi se do të kërkohet prova e vaksinimit për të hyrë në klubet e natës dhe vendet e tjera ku mblidhen turma të mëdha njerëzish duke filluar në fund të shtatorit. Kryeministri Johnson e kaloi Ditën e Lirisë në karantinë pasi ministri i shëndetësisë Sajid Javid doli pozitiv me COVID-19.
Rastet në Britani kaluan 50,000 të infektuar në ditë javën e kaluar për herë të parë që nga janari. Rritja kryesisht ka ardhur nga varianti delta i virusit, i identifikuar së pari në Indi.
Në anën tjetër të Atlantikut, qeveria kanadeze njoftoi të hënën se do të rihapë kufirin e saj për shtetasit amerikanë dhe banorët e përhershëm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 9 gushti, për sa kohë që ata tregojnë prova se janë plotësisht të vaksinuar kundër COVID-19 dhe testojnë negativë për virusin brenda 72 orëve nga mbërritja. Zyrtarët gjithashtu thanë se do të lejojnë vizitorë të vaksinuar plotësisht nga vendet e tjera duke filluar nga 7 shtatori.
Ndërkohë, më shumë se gjysma e 25 milionë qytetarëve të Australisë janë nën masa izolimi të martën pasi kryeministri i shtetit të Australisë Jugore Steven Marshall njoftoi një bllokim të menjëhershëm shtatë-ditor pasi u zbuluan pesë raste të reja. Australia e Jugut bashkohet me shtetet fqinje të Viktorias dhe Nju Sauth Uejlls për të vendosur bllokime të zgjatura që nga fundi i qershorit, kur një shofer limuzine në aeroport në Sidnei, rezultoi pozitiv për variantin shumë ngjitës të deltës.
Dhe një studim i ri i publikuar të martën nga Qendra për Zhvillimin Global me bazë në Shtetet e Bashkuara thotë se numri i përgjithshëm i të vdekurve nga pandemia në Indi mund të jetë 10 herë më i lartë se numri zyrtar i 414,482 viktimave, duke e bërë këtë katastrofën më të rëndë humanitare për vendin e Azisë Jugore që kur fitoi pavarësinë e nga Britania në 1947.
Studimi thotë se rreth 3 milionë deri në 4.7 milionë njerëz humbën jetën nga virusi midis janarit të vitit 2020 dhe qershorit të këtij viti. Vendi i dytë më i populluar në botë, me rreth 1.3 miliardë njerëz, po del nga një valë shkatërruese mes prillit dhe majit që u nxit pjesërisht nga varianti Delta./VOA