Qeveria amerikane po heton një seri incidentesh shëndetësore në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, që përfshijnë diplomatët e saj dhe stafin tjetër të administratës.
Më shumë se 20 zyrtarë amerikanë kanë raportuar simptoma të ngjashme me Sindromën Havana, një sëmundje misterioze e trurit, që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në janar.
Diplomatët amerikanë dhe kanadezë në Havana u ankuan për simptoma duke filluar nga marramendja, humbja e ekuilibrit, humbja e dëgjimit dhe ankthi te diçka që ata e përshkruan si “mjegull njohëse”.
Rastet e Vjenës së pari dolën në dritë në revistën “New Yorkes” ditën e premte dhe u konfirmuan më vonë nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ku sekretari Anthony Blinken tha se janë duke hetuar incidentet, raporton media e njohur BBC.
Sindroma është e pashpjegueshme, por shkencëtarët amerikanë thonë se ka shumë të ngjarë të shkaktohet nga rrezatimi mikrovalë i drejtuar. Ajo u gjet për herë të parë në Kubë në 2016-17.
SHBA akuzoi Kubën për kryerjen e “sulmeve zanore”, të cilat ajo i mohoi me forcë, dhe incidenti çoi në rritjen e tensionit midis dy kombeve. Një studim akademik amerikan i vitit 2019 zbuloi “anomali të trurit” në diplomatët që ishin sëmurë, por Kuba e hodhi poshtë menjëherë këtë raport.