Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fiço tha se ka një alert të shtuar për variantin “Delta”, në vendin tonë. Fiço ka bërë apel për qytetarët që të vaksinohen sa më shpejtë, pasi vaksinat mbrojnë deri në 100% nga fatalitetet si pasojë e Covid19. Ajo ndër të tjera ka thënë se kemi marrë mostra dhe i kemi dërguar në Laboratorin e Referencës dhe se po vijojnë me monitorimet.
“Prej tashmë 2-3 javësh ne kemi folur për sinjale të pazakonta. Kemi marrë mostra, i kemi në Laboratorin e Referencës dhe vijojmë me monitorimin. E rëndësishme është të kuptojmë që pavarësisht shtrimeve spitalore shumë sporadike dhe fatmirësisht humbjeve të munguara të jetës, ne shikojmë që ka rritje të vogla të infeksioneve. Ndaj nuk duhet të harrohen masat dhe apeli ynë dhe apeli ndërkombëtar është vaksinim, vaksinim, vaksinim”, tha prof. Albana Fico.
Kujtojmë se edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një deklaratë publike është shprehur se vendi jonë ndodhet në alert për variantin e ri “Delta”, i cilësuar ndryshe edhe si varianti Indian. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që qytetarët të ruajnë vigjilencën dhe të zbatojnë me përpikmëri masat e vendosura anti-COVID, në mënyrë që të shmangin numrin e lartë të infektimeve.