Çmimi i karburantit ka pësuar një rritje të ndjeshme në javët e fundit dhe si gjithmonë janë qytetarët ata që detyrohen të shpenzojnë më shumë. Siç ka ndodhur shpesh që pas daljes nga karantina, çmimi i karburanteve është rritur javë pas jave, duke u bërë gjithnjë e më shumë një shqetësim për të gjithë ata që përdorin mjetet motorike.
Vetëm pak ditë më parë u njoftua se çmimi i naftës ishte rritur për herë të katërt që kur vendi ka dalë nga karantina. Kjo gjë nuk është pritur aspak mirë nga shumë njerëz dhe një protestë është paralajmëruar për ditën e nesërme.
Është “Harta dixhitale e aksidenteve rrugore” që ka bërë thirrje për protestë me anë të një postimi në Facebook. Ata bëjnë thirrje që ditën e nesërme të gjithë shoferët të fikin makinat nga ora 12:00-15:00. Kërkesa e protestës është që çmimi i naftës të ulet nga 178 lekë në 150 lekë.
Në një artikull të publikuar pak ditë më parë nga Monitor.al, vërehej se çmimi i naftës ishte rritur me 3 lekë dhe mbi të gjitha kjo ishte rritja e dytë vetëm brenda 10 ditëve. Gjatë pandemisë çmimi i naftës arriti nivelin më të ulët, midis 144 dhe 148 lekë deri në janar të vitit 2021. Kjo reflektonte edhe ecurinë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Mirëpo, të dhënat e INSTAT tregojnë se konsumi i karburanteve është gjallëruar në muajt e parë të këtij viti. Nga ana tjetër, kompanitë importuese kanë krijuar rezerva muajt e fundit duke importuar me çmim të ulët. Madje në periudhën janar-prill, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave importet e karburanteve arritën nivel rekord pas viteve ’90. Lidhur me rritjen e fundit të çmimit të karburanteve, operatorët kanë pohuar se kjo lëvizje nuk lidhet me kërkesën e tregut. Për çmimin e shtrenjtë të naftës Shqipëria lë pas edhe vende të tjera të rajonit si Greqia apo Serbia.