Kokaina në portin e Durrësit, është kthyer në trend. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pas operacionit në Durrës ku u kap një sasi kokaine, ka bërë një bilanc të punës së policisë në 4 muajt e fundit. Ministri thotë se asgjë nuk është rastësi.
“Faktet flasin vetë. Pas operacionit të sotëm shkon në rreth 1 ton sasia e lëndës narkotike e llojit kokainë e kapur në Portin e Durrësit gjatë katër muajve të fundit. Asgjë nuk është e rastësishme, por dëshmi e luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe e aftësisë zbuluese e goditëse të Policisë së Shtetit.
Këto operacione dëshmojnë gjithashtu besimin e lartë të partnerëve tanë ndërkombëtarë në hetimet e përbashkëta, intensive dhe profesionale, në goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës.
Kjo është një luftë e vazhdueshme, që nuk nis e as përfundon me një operacion. Ne do të vijojmë punën me Policinë e Shtetit dhe të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt” shkruan ai.
Në portin e Durrësit në një kontejner me banane të ardhur nga Ekuadori u gjetën dhe sekuestruan 11.6 kg kokainë në 14 pako. Dy janë personat e arrestuar deri tani Barjon Gumeni, administrator i firmës, që rezulton se është vëllai i pronarit të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, Eduart Dauti dhe një punonjës tjetër me emrin Jurgen Osmani