Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën në Deçan të Kosovës, ku 900 qytetarë janë helmuar si pasojë e konsumimit të ujit. Meta shkruan se po ndjek me shqetësim situatën emergjente në Deçan, ndërsa iu uron shërim të shpejtë qytetarëve. Ndër të tjera, Meta shkruan se nxit qeverinë shqiptare t’u gjendet pranë.
Postimi i presidentit Ilir Meta:
“Me shqetësim po e përcjell situatën emergjente në komunën e Deçanit. Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të kësaj situate.
Familjeve të tyre ju shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tim më të thellë.
Me besimin e plotë se institucionet shtetërore përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet dhe po bëjnë përpjekjet e duhura për zbulimin, zbardhjen e shkaqeve dhe kapërcimin e tyre, e nxis Qeverinë shqiptare t’u gjendet pranë, sipas mundësive, me ekspertizë dhe çdo ndihmë të nevojshme. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, shkroi Meta.
Që nga dita e shtunë e deri më sot rreth 900 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm, ndërsa në 24 orët e fundit situata është përkeqësuar dhe dy persona kanë ndërruar jetë.