Shoferi i minibusit në Gramsh, i cili përfundoi në humnerë, do të vihet në pranga. Ai ndodhet i shtuar në spitalin e Gramshit, prej nga iu është komunikuar urdhëri i ndalimit.
Arjol Xhepexhiu po drejtonte minibusin që u aksidentua në Gramsh sot, ku humbi jetën një i ri dhe u plagosën disa të tjerë. Mësohet se Xhepexhiut i ka rënë të fikët pasi ka pasur luhatje tensioni, e për pasojë humbi drejtimin e mjetit, duke rënë më pas në humnerë.
Kujtojmë se nga aksidenti i rëndë ndërroi jetë një 30-vjeçar, ndërsa mbetën të plagosur 9 të persona. Gjithashtu mësohet se mes të plagosurve është edhe një fëmijë 6-vjeç i cili po merr mjekim në spitalin e Gramshit. Ndërsa tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike për jetën për shkak të dëmtimeve të rënda dhe janë dërguar në spitalin e Traumës për një trajtim të specializuar mjekësor.
Mësohet se dy prej tyre janë transportuar me ambulancë ndërkohë që i treti është sjellë me helikopter te Trauma. Gjithashtu burime për ABC bëjnë me dije se të paktën 7 pasagjerë kanë qenë mbi kapacitetin e lejuar për furgonin që u aksidentua. Disa prej tyre kanë qenë të ulur me sendiljeve me stola druri. Të plagosurit janë nxjerrë nga shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit nga vendi ku u përmbys minibusi dhe janë transportuar me autoambulanca për ndihmë mjekësore.