Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u ka uruar të gjithë nxënësve pushime të mbara, duke shprehur krenarinë për mbylljen e një viti akademik të vështirë. Në një status në rrjetet sociale Kushi u bën thirrje nxënësve që ta shijojnë sa më shumë verën me lojëra e aktivitete, e mbi të gjitha të lexojnë.
Ajo shkruan se leximi do t’i ndihmojë nxënësit të ndihen gati për klasën pasardhëse, prandaj nuk duhet t’i ndahen librit për asnjë moment.
Statusi i plotë:
Të dashur nxënës!
Së pari, është kënaqësi dhe krenari për të gjithë bashkë që këtë vit të vështirë shkollor arritëm ta mbyllim me sukses falë punës dhe këmbënguljes sonë të përbashkët!
Ndërkohë që pushimet verore tashmë kanë filluar, unë kam një këshillë për të gjithë ju. Shijojeni sa më shumë këtë verë, me lojëra, me aktivitete sportive, por sidomos duke lexuar. Sezoni veror le të na shërbejë për të grumbulluar sa më shumë energji pozitive për vitin e ardhshëm shkollor. Leximi i librave apo edhe përsëritja e njohurive që keni marrë përgjatë vitit që lamë pas, do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të ndiheni gati për klasën pasardhëse. Prandaj, në asnjë moment mos iu ndani librit!
Ndërkohë që ne në Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, së bashku me të gjithë mësuesit tanë në të gjithë vendin, jemi angazhuar e do të punojmë fort që viti i ri shkollor të na gjejë sa më të përgatitur.
Me shpresën e mirë se viti i ardhshëm do të fillojë më i mbarë, unë ju uroj të gjithëve pushime të mbara në Shqipërinë tonë të mrekullueshme!
Përqafime të gjithëve!