Mbrëmjen e sotme kanë mbërritur në vendin tonë edhe 16.380 vaksina Pfizer. Lajmi bëhet i ditur nga kryeministri i vendit Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale. Ndërsa në Rinas së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin të pranishëm ambasadorët Luigi Soreca dhe Christian Steiner.
Kujtojmë se numri tatal i dozave të vaksinave që kanë mbërritur në vendin tonë deri më tani ka shkuar në 1 120 070 doza.
“16,380 doza të vaksinës Pfizer sapo kanë mbërritur në Shqipëri, nga kontrata e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer si dhe pjesë e mbështetjes së Bashkimit Europian, të siguruara nga qeveria austriake.
1,120,070 vaksina anticovid kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, për të vijuar pa u ndalur me planin kombëtar të vaksinimit, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Ministrja Ogerta Manastirliu, Ambasadori Luigi Soreca dhe Ambasadori, Christian Steiner në Aeroportin “Nënë Tereza”, shkruan kryeministri i vendit Edi Rama.
Manastirliu tha se po shkojmë drejt 1 milion vaksinimeve, ndërsa kanë mbërritur mbi 1.120.000 vaksina deri tani. Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të intensifikohet procesi gjatë verës.
Ambasadori Luigi Soreca u shpreh se deri tani janë rreth 60 mijë vaksina Pfizer që BE ka sjellë për Shqiperinë, ndërsa brenda muajit gusht do të plotësohet kontrata prej rreth 150 mijë vaksinave. Ambasadori austriak Christian Steiner, u shpreh se vaksinat e administruara nga Austria, si pjesë e mbështetjes së BE, janë tregues i qartë i solidaritetit dhe mbështetjes për popullin shqiptar. Deri tani janë kryer 994,081 vaksinime.