Një shtetase 40-vjeçare, së bashku me tri fëmijët e saj, ka pësuar djegie të mëdha në trup si pasojë e shpërthimit të bombolave të gazit që ndodheshin në magazinën e hotelit të tyre në Velipojë.
Shefi i shërbimit te zjarrfikësve në Shkodër, Agron Dibra në një prononcim për mediat është shprehur se deri më tani nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar, pasi mungojnë dëshmitë e familjarëve apo të personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Dibra thekson se nga dëshmitë dhe ajo që është konstatuar shkak për këtë ngjarje është bërë rrjedhja e gazit nga një bombol kampingu për shkak të mospërdorimit për një kohë të gjatë.
“Ngjarja ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazit, që sipas ekspertit dhe dëshmive është aktivizuar sapo është ndezur flakë ka shpërthyer. Ndërkohë mungesa e dëshmive ka penguar edhe punën tonë”, ka thënë Dibra.
Rrjedhja e bombolave të kampingut është shumë e rrezikshme, sidomos në Velipojë, ku bombolat rrinë për 10 muaj pa përdorur dhe kur ato vihen në punë janë shumë të rrezikshme. Shpesh kam bërë apel për këtë që bombolat të përdoren vetëm në ambiente të hapura. Përdorimi i tyre është shumë i rrezikshëm, dhe furnizimi i tyre në pikat e karburantit është jashtë standarteve”, u shpreh ai.