Në prangat e Policisë italiane ka rënë një shqiptar dhe një djalë tjetër me origjinë nga Tunizia. Mësohet se të dy këta persona akuzohen për zhvatje, sipas asaj që raportojnë mediat italiane “pre” e zhvatjes së tyre ka rënë një i ri italian.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, prej kohësh kontaktonte në celular të riun italian dhe i kërkonte para dhe në qoftë se ai nuk i jepte shumën që i kërkonte, ai e kërcënonte se do ta vriste.
Preteksti për këtë kërkesë ishte fundi i marrëdhënies së shqiptarit me një vajzë, e cila atëherë ishte e lidhur me viktimën e kërcënimeve.
Kërkesat në internet u bënë më reale pasi disa ditë më parë, viktima e kërcënimeve, shqiptari dhe bashkëpunëtori i tij ishin takuar aksidentalisht në një klub në Busto Arsizio.
Shqiptari dhe shoku i tij kishin mënjanuar në një cep italianin dhe i kërkonin 500 euro, ndryshe do ta thernin me thikë. Por fatmirësisht ngjarja u pikas nga një patrullë policie, e cila ndërhyri dhe prangosi dy të rinjtë, të dy me precedentë të mëparshëm. Mësohet se gjatë kontrollit nga policia, shqiptarit iu gjet një thikë kuzhine, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shkruajnë ndër të tjera mediat vendase.