Gjykata e Tiranës ka lënë në burg prokurorin Edmond Karriqin. Në burg është lënë edhe Isuf Gega, sekretar në prokurorinë e Kavajës, si dhe Emirjan Beu dhe Dritan Dedja.
SPAK përmes përgjimeve ka arritur të provojë se Karriqi ka marrë 2000 euro ryshfet për lehtësimin e masës së sigurisë për një të pandehur.
Karriqi akuzohet nga SPAK për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Si u vu në pranga Karriqi? Karriqi ka shkuar në Kavajë për të marrë paratë nga personi me të cilin kishte bërë marrëveshjen. Fillimisht paratë i janë dhënë në dollarë, por prokurori nuk i ka pranuar, kështu që sekseri i ka kthyer ato në Euro në një pikë këmbimi valuator dhe më pas ia ka dhënë Karriqit.
Teksa kryhej gjithë kjo procedurë, Karriqi dhe sekseri i tij po përgjoheshin dhe në momentin që po bëhej dorëzimi i parave, policia mbërriti në bulevardin kryesor të qytetit të Kavajës dhe kreu arrestimin. Bashkë me Karriqin u vu në pranga dhe Sekretari i Prokurorisë së Kavajës, Isuf Begaj. Bashkë me ta janë arrestuar dhe dy persona të tjerë.
Edmond Karriqi ushtronte detyrën e tij në Kukës. Ai është prokurori që hetoi çështjen e këngëtares Fjolla Morina që u kap me armë zjarri në pikën kufitare të Morinës. Sot Morina është në arrati edhe pse është dënuar në mungesë më gjashtë vite burg nga Gjykata e Kukësit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka bërë dhe një kërkesë për shpalljen në kërkim ndërkombëtar për këngëtaren nga Kosova.