Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në “Forumin e Prespës”, ku mori pjesë bashkë me lider të tjerë të rajonit ndër të tjera është ndalur edhe tek “mosmbajtjen e premtimit nga BE për hapjen e negociatave”.
Ndër të tjera kryeministri tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk e kanë në dorë procesin e integrimit, por as nuk mund të paketohen e të futen në anije për të shkuar në Bashkimin Evropian.Ai ndër të tjera ka thënë se Europa nuk mund të tregoj se çfarë duhet të bëjë me rajonin, prandaj vendet duhet të bashkohen dhe të mos presin deri sa të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Gjithashtu ai ka theksuar se mund të bëjnë shumë punë së bashku në mënyrë që të përmirësojnë ekonominë e vendeve të rajonit.
”Në masë të madhe kjo është ajo që në ndodh. Të jem i sinqertë nuk e ndjej më, fare, jam tepër serioz. A do të jemi apo jo pjesë e BE kjo nuk varet prej nesh, nuk është në duart tona, s’jemi ata që vendosim.
Megjithatë ne mund të bëjmë shumë punë, mund të bashkëpunojmë, të bëjmë presion që çështjet të jenë më të mira për përmirësimin e ekonomive tona, për krijimin e hapësirave për sipërmarrësit, të rinjtë tanë. Të izoluar dhe me shpinë drejt rajonit, jemi të vegjël, por të bashkuar jemi në masë të arsyeshme mjaftueshëm të mëdhenj.
Ti falenderohemi zotit që nga njëra anë Europa s’mund të na tregojë ç’të bëjmë në këtë rajon, ne mundemi përmes veprimeve tona t’ua lehtësojmë jetën gjithë njerëzve që jetojmë këtu. Pse duhet të presim të bëhemi anëtarë të BE që të bëjmë tregti pa barriera”, ka thënë kryeministri i vendit Edi Rama.