Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e sotme në Pogradec. Mësohet se dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive banale dhe nga konflikti ka mbetur i plagosur një prej tyre.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 të qytetit të Pogradecit, ku dy personat që dyshohet se ishin në gjendje të dehur janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Gjithashtu i plagosuri është dërguar në spitalin e Pogradecit dhe është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa personi tjetër është shoqëruar në komisariatin e policisë së Pogradecit. Sipas njoftimit të Policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:05 dhe mësohet se shtetasi me inicialet V.D., 30-vjeç banues në Pogradec është dëmtuar me sende të forta nga shtetasi me inicialet A.D.
Policia po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që momentalisht i shoqëruari në polici nuk është në gjendje të flasë pasi është nën efektin e alkoolit.
Informacion paraprak nga Policia
Më datë 30.06.2021, rreth orës 20:05, në Spitalin e Pogradecit ka shkuar shtetasi V. D., 30 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet të jetë dëmtuar me sende të forta, gjatë një konflikti të çastit në lagjen nr. 4, Pogradec, me shtetasin A. D.
Autori i dyshuar, ndodhet i shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa shtetasi V. D., po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.