Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka dhënë një lajm të mirë ditën e sotme lidhur me gjendjen shëndetësore të trinjakëve që lindën 40 ditë më parë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ministrja Manastirliu bën të ditur se pas 40 ditësh në terapi intensive, trinjakët kanë arritur të fitojnë betejën për jetën. Ministrja e Shëndetësisë ka falenderuar në mënyrë të veçantë stafin e Reanimacionit të Maternitetit “Koço Gliozheni”, për kujdesin e jashtëzakonshëm që kanë treguar ndaj tre bebabave.
Gjithashtu ajo ka treguar se trinjakët kanë fituar ditën e sotme edhe bonusin prej 360.000 lekë të reja dhe se së shpejti do të jenë në gjendje të shkojnë në shtëpi.
“Pas 40 ditësh të vështira në shërbimin e terapisë intensive, trinjakët Roi, Ajsi dhe Ersa sot kanë dalë nga rreziku dhe gëzojnë shëndet të plotë.
Mirënjohje për dr. Alma Hysa për përkushtimin ndaj trinjakëve që e fituan betejën për jetën si dhe për të gjithë stafin e Reanimacionit të Maternitetit “Koço Gliozheni”, për kujdesin e jashtëzakonshëm për të lindurit prematurë.
Trinjakët kanë përfituar sot edhe bonusin e bebes prej 360,000 lekë të reja dhe së shpejti do të jenë gati të shkojnë në shtëpi. Jetë të gjatë”, shkruan ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu