Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ashtu si e kishte paralajmëruar më parë, ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka folur lidhur me ngjarjet e fundit kriminale që kanë ndodhur në vend. Çuçi u shpreh se sot policia nuk ka faj për ngjarjet kriminale të ditëve të fundit ku kanë humbur jetën 8 persona.
Ndër të tjera ministri është pyetur, nëse do vijojë të jetë ministër në shtator?
Ai u shpreh para gazetarëve se do ta ushtroj detyrën e tij deri në ditën e fundit me përgjegjësi maksimale, pa folur për afate konkrete.
Ndryshe nga paraardhësi i tij Sandër Lleshaj, i cili pati deklaruar se në fytyrën e çdo polici, qytetarët do të shihnin atë vetë, Çuçi iu sugjeroi gazetarëve të mos shohin tek ministri i Brendshëm drejtorin e Policisë.
“Sa i përket qëndrimit tim në detyrë, do të doja që tek ministri i brendshëm mos të shihni drejtorin e policisë, shihni ministrin e brendshëm. Ka qenë fushata dhe me dashje kam zgjedhur të mos kem profil të lartë për të qenë i paanshëm gjatë fushatës, por kjo nuk ka të bëjë fare me faktin nëse unë do të jem apo nuk do të jem në shtator ministër i brendshëm. Deri ditën që do jem do ta ushtroj këtë detyrë me përgjegjësinë dhe angazhimin më të lartë”, deklaroi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.