Katër të vrarë dhe dy të plagosur, është bilanci i ngjarjes së rëndë që ndodhi pak pas mesnatës në plazhin e Velipojës, ku pati një përplasje me armë zjarri dy pronarëve të bizneseve Ferracaku dhe Gocaj. Shkak për sherrin që përfundoi në tragjedi u bë vendosja e shezlongëve në hapësirat e dy hoteleve që janë vetëm 50 metra në distancë nga njëri-tjetri.
Njëri prej të vrarëve është Kujtim Ferracaku, si dhe dy pjesëtarë të familjes Gocaj dhe punonjësi i shezlongëve. Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, të cilit iu bë atentat në vitin 2018. Mësohet se Kujtim Ferracaku është pronar i hotel “Fantazia”.
Kujtojmë që djali i tij Arjan Ferracaku u ekzekutua më 1 shtator 2018, teksa po kalëronte i shoqëruar nga miqtë e tij. Babai i dy fëmijëve të mitur u qëllua nga një person, i cili i zuri pritë. Sipas hetuesve, autori ka qëlluar nga një largësi prej afro 70-100 metra.
Arjan Ferracaku dhe personat e tjerë ishin mbi kuaj, duke bërë hipizëm dhe parapërgatitje për kampionatin me kuaj, që ishte parashikuar me 15 shtator në plazhin e Velipojës.
Kujtojmë se nga ngjarja e rëndë në Velipojë të ndodhur në orët e vona të natës mbetën të vdekur biznesmeni Kujtim Ferracaku, babai i Arjan Ferracakut të ekzekutuar në Shkodër tre vite më parë. Po ashtu kanë humbur jetën dy pjesëtarë të familjes Gocaj, Xhovano dhe Edmond Gocaj, si dhe punonjësi i shezlongëve Myzerim Zeneli. Ndërkaq të plagosur kanë mbetur dy shtetas të tjerë, Hasan Ferracaku, vëllai i të ndjerit, si dhe Elmedin Dyli.