Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur orët e vona të pasdites së sotme në Tiranë. Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Lana. Në pamjet e siguruara nga Gazeta Reforma shihet edhe një person i cili është i shtrirë në asfalt. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se automjeti po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara dhe si pasojë ka aksidentuar një qytetar.
Gjithashtu policia në njoftimin zyrtar bën me dije, se rreth orës 19:00, në bulevardin “Bajram Curri”, një mjet me drejtues shtetasin M. H., ka aksidentuar 80-vjeçarin Q. K.
Raportohet se i moshuari ndodhet në spital, nën kujdesit e mjekëve. Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
“Më datë 25.06.2021, rreth orës 19:00, në bulevardin “Bajram Curri”, mjeti me drejtues shtetasin M. H., ka aksidentuar shtetasin Q. K., rreth 80 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”, thuhet në njoftimin e plotë të policisë.
Kujtojmë se aksidenti në Tiranë vjen pas lajmit tragjik të ndarjes nga jeta të një familje të tërë, në aksin rrugor Fier-Vlorë. Familja prej 4 anëtarësh ishte në mjet, ndërkohë që u përplas nga një ‘Audi’. Të 4 pjesëtaret e familjes ndërruan jetë, ndërkohë që mbetën të plagosur dhe tre të tjerë që ndodheshin në mjetin ‘Audi’.