Deputeti i AAK-së njëherësh edhe kryetar i këtij subjekti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të formojë Komisionin shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ai ka thënë ndër të tjera se AAK do ju përkrahin për formimin e këtij komisioni.
“Unë i propozoj Qeverisë që të formojë komisionin shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ai komision nuk është ekzistues, ka pas shkarkime dhe dorëheqje. Ju premtoj që si Aleancë do ju përkrahim për formimin e këtij komisioni”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se arsyeja që duhet të krijohet ky komision, është sepse nuk ka ndodh demarkimi me Malin e Zi. “Komisioni i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, nuk i kanë qit gurtë. Kufiri që është sot është ai që e kemi gjet para marrëveshjes”, u shpreh Haradinaj.
Deputeti i AAK-së, më tej ka shtuar se Kuvendi i Kosovës ka hyrë në obligim për t’i zbatuar të gjeturat e raportit të Komisionit Shtetëror.
“Nëse nuk respektohet raporti i këtij komisioni atëherë bëhet shkelje ligjore por edhe Kushtetuese. Nëse Mali i Zi nuk shpreh gatishmëri të ecet në këtë radhë, atëherë kjo çështje duhet të kalojë në arbitrazh. Mali i Zi është vend mik dhe nuk kem arsye me krijuar tensione të panevojshme”, tha Haradinaj.