Piloti i cili mbyti bashkëshorten e tij 20-vjeçare, Caroline pranë foshnjës së tyre dhe krijoi një histori për të mbuluar krimin e tij makabër, po gënjen sërish policinë. Skenari i tij i parë ra, por duket se Babis po ngre një tjetër histori për të lehtësuar barrën e krimit të rëndë.
Nga të dhënat e fundit, ka një moskoherencë mes dëshmisë së pilotit dhe ekspertizës ligjore. Sipas kësaj të fundit, rezulton që e reja ka qenë në gjumë kur është mbytur nga i shoqi. Këtë e dëshmon ora inteligjente që ajo mbante në duar, e që tregonte se disa orë para vdekjes, pulsi i saj ishte i njëjtë me atë të një personi që fle. Kujtojmë se në dëshminë e tij, bashkëshorti i saj ka thënë se e ka vrarë Carolinën në debat e sipër dhe e ka përqafuar për minuta të tëra, derisa ajo nuk lëvizte më.
“Carolina ishte duke fjetur me fytyrë poshtë. Unë u shtriva pranë saj, duke i thënë që ajo që i kishte bërë vajzës ishte shumë e keqe. Carolina nuk donte të dëgjonte, më ofendoi, më tha që e rëndësishme për të ishte që unë dhe vajza ta linim të qetë.
Në këtë moment unë e përqafova fort në mënyrë që ajo të më dëgjonte. Ndërsa ishim në këtë situatë, fytyra e saj ishte e puthitur në jastëk. Nuk mbaj mend nëse në atë moment e shtypa kokën me duar, por mendoj se e kam shtypur me trupin tim. Teksa bëja këtë veprim i thoja: “Nuk do e godasësh më vajzën”. Kjo situatë ka zgjatur diku te 5 minuta, derisa kuptova që Caroline nuk po merrte më frymë. Në panik, e duke menduar për vrasjen, inskenova grabitjen”, mësohet të ketë thënë Babis.