Më 20 qershor është Dita Botërore e Refugjatëve. Sipas raportit të fundit të OKB-së, më shumë se 82 milionë njerëz janë zhvendosur, megjithë mbylljen e kufijve nga shumë vende për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ky është numri më i lartë i refugjatëve i regjistruar ndonjëherë.
GJENEVË– “Ajo që është mjaft tronditëse është fakti se gjatë dhjetë viteve të fundit numri i njerëzve që janë refugjatë ose janë zhvendosur me forcë është dyfishuar. Rreth 48 përqind janë fëmijë ose të rinj, kështu që ne vërtet kemi breza fëmijësh të cilët janë larguar nga vendet e tyre të origjinës”, thotë Gillian Triggs, Ndihmës Komisioner i Lartë i UNHCR-së.
OKB-ja njofton se në përgjithësi, 1 në 95 njerëz janë zhvendosur me forcë, duke përfshirë më shumë se gjysmën e popullsisë së Sirisë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Sirianët përfaqësojnë grupin më të madh të të zhvendosurve ndërkombëtarisht dhe ekspertët thonë se nevojat e tyre janë të shumta.
“Edukimi dhe shëndeti mendor janë çështje kryesore. Për shembull ne kemi shumë refugjatë sirianë të traumatizuar dhe ata nuk mund ta kuptojnë. Pra, ju duhet të punoni për shëndetin mendor, plus edukimin e tyre”, thotë Nancy Yarmout nga organizata “Rescue Me” .
Venezuelianët përbëjnë grupin e dytë më të madh, të njerëzve të zhvendosur me forcë.
Shumë prej tyre kanë shkuar në Kolumbi. Zhvendosja nga Amerika Qendrore është rritur 50 herë gjatë dhjetë viteve të fundit, me shumë refugjatë që drejtohen në veri për në Shtetet e Bashkuara.
“Besoj se është me të vërtetë e rëndësishme të mendosh për refugjatët jo si një barrë për shoqërinë, por të mendosh për ta si konsumatorë dhe kontribues, sepse ata në të vërtetë shtojnë rritjen ekonomike … shtojnë zhvillimin ekonomik”, thotë Richard Albright, nga Departamenti amerikan i Shtetit
Numri i fëmijëve të pashoqëruar në vitin 2020 po ashtu ishte i lartë, sipas raportit të OKB-së. Dhe ndryshimi i klimës ishte një nga faktorët që shkaktoi zhvendosje të njerëzve në gjithë botën, shkruan VOA.
“Nevoja për burime, ujë, tokë … Nevoja për ushqimin e bagëtive, për të shtuar të korrurat… Të gjitha këto preken nga ndryshimi i klimës, dhe çojnë në konflikt. Më pas konflikti sjell zhvendosje”,- thotë Gillian Triggs, Ndihmës Komisioner i Lartë i UNHCR-së
Raporti i OKB-së tregon se 86 përqind e njerëzve të zhvendosur përtej kufijve janë pritur nga vendet në zhvillim.