Banorët e fshatit Bënçë në Tepelenë, janë ngritur sërish ditën e sotme në protestë për ndërtimin e një kantiere dhe një fabrike asfalti në këtë zonë. Nga protesta mësohet se ka paur agravim të situatës si dhe përplasje mes banorëve dhe punonjësve të firmës.
Si pasojë e konfliktit, dëgjesa publike e parashikuar për ditën e sotme nuk do të zhvillohet. I dëmtuar gjatë këtij konflikti mes banorëve dhe punonjësve të firmës ka mbetur dhe aktivisti i njohur Auron Tare. Ai u dërgua në spitalin e Tepelenës dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka thënë se ëshët qëlluar teksa ka qenë brenda në makinë, nga një prej pronarëve të firmës në fjalë, ndërkohë që dhunë është ushtruar dhe ndaj banorëve të tjerë të pranishëm. “Nuk ka një shqetësim të madh, unë do të shkoj në komisariat që të bëje një denoncim. Megjithëse banorë dhe unë patëm një vetëpërmbajtje, nga ky sherr i panevojshëm, më lejoni që t’iu shpjegoj se çfarë ndodhi.
Ishte thërritur një dëgjesë për një gurore që do të ndërtohet në një zonë turistike, banorët ishin mbledhur, dhe unë arrita në cilësinë e vëzhguesit të turizmit, nga Bashkia e Tepelenës, nga kantieri kanë dalë 3 pronarët, që janë vëllezër. Kanë qëlluar që të qëllojnë njerëzit me shqelma dhe me grushta, unë isha në makinë, kur një prej vëllezërve nga xhami më qëlloi me grusht, më shau nga familja, fëmijët.
Ishte një skenë prej rrugaçërish, e cila duhet të marrë një mësim shumë të mirë, Policia ka shkuar në vendngjarje, për të parë situatën më tutje. Unë jam larguar për të shmangur agravimin e mëtejshëm të kësaj situate, e tre njerëzve që e quajnë veten të fortë të zonës, dhe banorëve që nuk duan të dëmtohen kanionet.
Firma që ka marrë lotin e dytë të rrugës, ka marrë një leje nga Bashkia dhe për parkingun e mjeteve, mesa mësova nga banorët, kjo firmë kërkon ndërtimin e një gurore brenda kanioneve që është dhe zonë turistike”, ëshët shprehur Auron tare për Fax Ëeb.
Pasi u dërgua në spital, Tare iu drejtua policisë të Tepelenës për të bërë një denoncim mbi dhunën e përdorur ndaj tij nga punonjësit e firmës. Disa persona, si nga banorët ashtu dhe nga punonjësit e firmës janë dërguar në komisariat lidhur me tensionimin e ngjarjes.
Fabrika e asfaltit do të shfrytëzohet për punimet e rrugës Tepelenë-Kurvelesh. Me mbështetjen e ambientalistëve, banorët kanë ngritur zërin për ndotjen që po shkaktojnë këto punime duke cënuar ndjeshëm cilësinë e jetës së këtyre banorëve.