Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca ka qenë i pranishëm në konferencën e zhvilluar nga OSBE, në Tiranë, ku ndër të tjera ka folur edhe për trafikimin e qenieve njerëzore. Soreca është shprehur se trafikimi i qenieve njerëzore është kthyer në një rrezik të madh në botë. Gjithashtu ambasadori ka thënë se BE ka një strategji për të luftuar këtë fenomen. Soreca ka theksuar se strategjia që po ndjek BE-ja synon edhe nevojën për bashkëpunim me vendet të cilat nuk janë anëtare, siç është edhe Shqipëria. Ai thotë se qasja në drejtësi është shumë e rëndësishme.
“Qasja e Bashkimit Evropian është në përputhje me atë të OSBE dhe ne besojmë se do të arrijmë sukses vetëm nëse punojmë ngushtësisht me njëri-tjetrin. Më lejoni të falënderoj OSBE-në që këtë çështje vitet e fundit e kanë bërë prioritetet. Ne kemi një strategji si BE për të luftuar këtë fenomen. Kjo është një strategji e cila tashmë po shtrihet në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe ne e kërkojmë edhe nga vendet kandidate. Synimi ynë që trafikimin e qenieve njerëzore nga një krim me rrezik të ulët por me fitim të lartë ta kthejmë në një krim me fitim të ulët por me rrezik të madh. Strategjia thekson gjithashtu edhe nevojën e bashkëpunimit me vendet jo anëtare, siç është edhe Shqipëria. Sigurisht që qasja në drejtësi është shumë e rëndësishme”, tha ndër të tjera Soreca.