Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se qasja e Albin Kurtit në procesin e dialogut me Serbinë është e gabuar. Në një intervistë për “KosovaPress”, Haradinaj e ka quajtur Kurtin si mashtrues ordiner, i cili po mashtron popullin e Kosovës.
“Është pikërisht ajo që kemi paralajmëruar rreziku nga mashtruesi Kurti, pra në këtë rast Kurti është mashtrues ordiner dhe po mashtron popullin e Kosovës me një qasje të rrezikshme në dialog, duke mos kërkuar substancën e paraparë për të cilën ne e synojmë dialogun por duke u shpërndarë në tema të panevojshme. Nuk është ky dialog, është humbje kohe dhe mashtrim për Kosovën, pra nuk është fokusimi të çështja kryesore që ka mbet njohja reciproke të cilën e ka theksuar presidenti Biden qartë në letrën e vet.
Është një qasje e rrezikshme e kryeministrit Kurti, pra e gabuar, ai po e rikthen dialogun në fillim, po kërkon me kriju marrëdhënie të re ekonomike tregtare pra me pikën 1 mes Kosovës dhe Serbisë, më të avancuara se Mini-Shengeni, para njohës, që është një rrezik dhe njëkohësisht është proces që përfshinë BE-në dhe që stërzgjatet, po ashtu e ka të gabuar qasjen për një marrëveshje paqe, ajo që i mbetet Kosovës me Serbinë është njohja, kryeministri ish dashtë pas gjithë kësaj kohe më në fund të shkojë me vetëm një pikë të rendit të ditës, njohjen reciproke dhe çështjet që lidhen me njohjen por jo edhe ta relativizojë çështjen e njohjes me çështje të CEFTA-s dhe SEFTA-s”, tha Haradinaj.