Policia e Shtetit ka vendosur sekuestro preventive mbi disa prona të cilat kapin vlerën e 3 milionë eurove. Nën sekuestro janë vënë pasuritë e biznesmenit të dëbuar nga Italia, Gëzim Sallaku të vëllait të tij S. S., si dhe të shtetasit R. K.
Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Shtetit janë vënë në sekuestro disa prona, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku. Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të shtetasve të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”. Mësohet se materialet për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
Njoftimi i plotë i Policisë së Durrësit:
Vendoset sekuestro preventive mbi disa prona që kapin vlerën rreth 3 milionë euro, në pronësi të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër.
Në vijim të punës për identifikimin, gjurmimin, gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale në fushën e pastrimit të parave, pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe profesionale të kryer nga Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë i mundur finalizimi i hetimeve 3-vjeçare në ngarkim të dy vëllezërve dhe të një shtetasi tjetër, me të cilin dy vëllezërit kanë lidhje shoqërore.
Si rezultat i hetimeve të kryera dhe provave të grumbulluara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi sekuestron preventive për pronat e shtetasve Gëzim Sallaku, S. S. dhe R. K., banues në Durrës, prona të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku, të cilat janë të regjistruara edhe në emër të shtetasve S. S. dhe R. K., konkretisht:
– Sekuestro 100% të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku;
– 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;
– Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.;
13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”.
Vazhdon puna nga Njësia e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre personave dhe lidhjeve të tyre familjare dhe shoqërore.
Shtetasi Gëzim Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999 – 2008.
Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të shtetasve të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.
Materialet për ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.