Rusia është “hakmarrë” , ndaj Maqedonisë së Veriut duke i shpallur non grata një diplomat. Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Jashtme ruse e cila ka njoftuar se Moska zyrtare ka shpallur non grata një diplomat maqedonas.
Për njoftimin është thirrur në Ministri ambasadorja maqedonase Çaushevska-Dimovska e cila është informuar se punonjësi i ambasadës në Moskë duhet të largohet nga territori rus.
Ky veprim nga Rusia është si një kundërpërgjigje ndaj vendimit të muajit të kaluar kur Ministria e Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi se në përputhje me nenin 9 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike, një diplomat i Ambasadës Ruse në Shkup, është shpallur person non grata në Maqedoninë e Veriut.
Me anë të një reagimi zyrtar në atë kohë, Rusia u shpreh se “ne dënojmë veprimet e tilla të pabazuara që patjetër do të ndikojnë në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Maqedonisë Veriore. Masat e reagimit do të pasojnë”.
Kujtojmë se muaj më parë Rusia ndoqi të njëjtën strategji edhe me Shqipërinë, ku shpalli si person të padëshirueshëm sekretaren e parë të ambasadës në Moskë, Jonida Drogu. Pasi Shqipëria shpalli si të padëshirueshëm dy diplomatë rusë në Tiranë. Të njëjtën strategji Rusia e ka përdorur edhe me vende të tjera të Bashkimit Evropian.