Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, për Dhurata Saliajn dhe Mexhit Picarin, babë e bijë të cilët u arrestuan për vrasjen e Kudret Saliajt, në një lokal pranë Gjykatës disa ditë më parë. Dhurata Saliaj nuk ka pranuar të kishte dijeni për krimin e kryer nga i ati i saj dhe ka kërkuar mëshirë nga gjykata.
“Nuk e dija ç’do bënte babai. Nuk do e lejoja kurrë babain ta vriste Kudretin. Kërkoj mëshirë, kam 3 fëmijë për të rritur”, vijoi ajo, teksa në nisje të seancës gjyqësore, u shfaq me kokën ulur të cilën e fshihte pas supeve të babait, që të mos e fiksonin kamerat e mediave të pranishme në sallë.
Gjithashtu edhe babai i saj, Mexhit Picari ka kërkuar falje publike për krimin e bërë dhe është shfaqur i penduar para Gjykatës. Mexhit Picari e ka përjashtuar të bijën e tij, Dhuratën nga çdo përfshirje në këtë ngjarje.
“Pistoletën e kisha në brez, nuk e mora në çantën e vajzës. Kërkoj ndjesë për çfarë kam bërë, i kërkoj falje nipërve dhe mbesave, Dhurata nuk ka pasur dijeni”, mësohet se ka deklaruar autori kryesor i krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak ditë më parë në një lokal pranë gjykatës së Tiranës, ku çifti kishte seancën e radhës gjyqësore në procesin e divorcit.
Mexhit Picari vrau ish-dhëndrin, Kudret Saliajn, i cili po ndahej nga e bija e tij Dhurata.