Një raport mbi origjinën e koronavirusit, i kryer nga një laborator shtetëror amerikan, arriti në përfundimin se ekziston mundësia që ky virus, të ketë dalë nga një laborator në Wuhan, Kinë. Raporti u përpilua në maj të vitit 2020 nga laboratori kombëtar amerikan, “Lawrence Livermore”, në shtetin e Kalifornisë.
Sipas shkencëtarëve të laboratorit “Lawrence Livermore”, raporti u bazua në analizën gjenetike të koronavirusit të ri. Presidenti i Amerikës, Joe Biden, njoftoi në muajin maj se u kishte kërkuar këshilltarëve të tij të zbulonin origjinën e SARS-CoV-2, ose njohur si koronavirus.
Shërbimi i Inteligjencës Amerikane po shqyrton dy skenarë të mundshëm. I pari është që virusi shpëtoi nga një laborator ose kaloi nga kafshët te njerëzit. Sipas një raporti sekret të Inteligjencës Amerikane, që është publikuar ndërsa Trump ishte ende president, tri studiues në Institutin e Virologjisë Wuhan, u sëmurën në nëntor të vitit 2019 dhe u shtruan në spital me simptoma të ngjashme të koronavirusit, tha në një njoftim qeveria amerikane.
Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Kinën se nuk është transparente në lidhje me origjinën e koronavirusit, akuzë që Pekini e ka mohuar vazhdimisht. Mbetet për t’u parë sesi do të shkojë kjo situatë mes Amerikës dhe Kinës, por çdo ditë e më shumë, po shkohet pranë së vërtetës.